Me 13 Gusht të vitit 2013 historia e Nazime Vishës bëri bujë në të gjithë Shqipërinë. Ajo vrau me armë zjarri 45 vjeçarin Fiqiri Muça, i cili e kishte përdhunuar në mënyrë sistematike që kur ajo ishte e mitur. Visha, në atë kohë vetëm 18 vjeç, e vrau duke e qëlluar me 29 plumba.
Ajo u dënua me 10 vite burg por u lirua pas 3 vitesh nga një falje e firmosur nga presidenti i kohës Bujar Nishani. Pas daljes nga burgu jeta e Nazimes ka ndryshuar tërësisht. Në një rrëfim për "ABC News", gjyshja e saj ka treguar se mbesa ka nisur një jetë të re.
Ajo është martuar në Bullgari dhe është nënë e një vajze 2 vjeçe. “Ne tashmë e kemi harruar historinë ajo është martuar në Bullgari dhe ka një gocë 2 vjeç. Ajo vetë nuk punon, por rri me vajzën. Në Shqipëri ajo vjen njëherë në 6 muaj”, tha gjyshja e saj.
Po ashtu përsa i përket bashkëshortit të Nazimes, gjyshja tregoi se punon si furnizues dyqanesh. "Kishte qenë 7 herë në Shqipëri për të gjetur grua shqiptare. Rastisi, u takuan. Ai punon si furnizues dyqanesh. Erdhi vetë në shtëpi. Historinë nuk e pati problem. Mua ma patën kërkuar dhe këtu por nuk kisha qejf", ka treguar ajo.
