Nga Shqipëria / E Premte 17 Prill 2020, 19:07

Rama u dha leje, policia ka një kërkesë për të gjithë pensionistët

Këtë të Premte me anë të një video-mesazhi në llogarinë e tij të facebook-ut, kryeministri Edi Rama njoftoi se të shtunën të gjithë pensionistët do të mund të dalin deri në orën 11:00. Mirëpo ai sqaroi se kjo dalje do bëhet vetëm për ajrosje dhe jo për të luajtur domino ose për të shëtitur nëpër parqe.

Pas njoftimit të Ramës ka reaguar dhe policia e shtetit. Me anë të një postimi në Facebook policia kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos grumbullohen nëpër parqe apo lulishte. Po ashtu njofton se pas orës 11:00 të gjithë duhet të kthehen në shtëpi.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë.

Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi - punë - shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës.

Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore.