Ishulli Hokkaido në Japoni u pa si një histori suksesi duke e gjurmuar dhe izoluar koronavirusin, që çoi në një rënie të madhe të të infektuarve. Por Hokkaido ka rënë pre e një vale të dytë të infeksioneve.
Në fund të muajit shkurt Hokkaido ishte vendi i parë në Japoni që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit. Shkollat u mbyllën, organizimet u anuluan dhe njerëzit u izoluan në shtëpi. Autoritetet ndoqën dhe izoluan këdo që kishte kontakte me viktimat. Kjo politikë funksionoi dhe deri në mes të muajit mars numri i rasteve të reja ra. Në 19 mars gjendja e jashtëzakonshme u hoq dhe në fillim të muajit prill shkollat â??â??u rihapën.
Mirëpo tani vetëm 26 ditë pasi u hoq gjendja e jashtëzakonshme, qeveria është detyruar ta shpallë sërish.
Javën e kaluar, Hokkaido ka shënuar 135 raste të reja të konfirmuara me Covid-19. Asnjë nga rastet e reja nuk është i huaj dhe asnjëri nga të infektuarit nuk ka udhëtuar jashtë Japonisë muajin e fundit..
"Ne jemi në mes të një faze të shpërthimit. Mësimi kryesor për të marrë nga Hokkaido është se edhe nëse jeni i suksesshëm në izolimin e popullit është e vështirë të mbani kontrollin për një periudhë të gjatë, përveç nëse zgjeroni kapacitetin e testimit", thotë Profesor Shibuya.
Mësimi tjetër është se ky "realitet i ri" do të vazhdojë shumë më tepër nga sa presin shumica e njerëzve. Hokkaido tani ka rikthyer masat, por shumica e njerëzve ende punojnë. Shkollat mund të jenë të mbyllura, por dyqanet dhe lokalet mbeten të hapura.
Profesor Shibuya mendon se pa masa më të ashpra, Japonia ka pak shpresë për të kontrolluar "valën e dytë" të infeksionit, që tani po ndodh jo vetëm në Hokkaido, por në të gjithë vendin.
Një zyrtar i qeverisë në Hokkaido tha për "BBC" se tani mund të duhet t'i mbajnë masat në vend për shumë më gjatë.
"Deri sa të gjejmë një vaksinë. Ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi të ndalojmë përhapjen", tha ai.

