Hungaria ka dhuruar 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse mjekësore në luftën kundër koronavirusit, për Shqipërinë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë për Punët e Jashtme Gent Cakaj.
"Ndonëse në kushte të jashtëzakonshme, sot zhvillova në aeroportin “Nënë Tereza” një takim shumë të frytshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó", shkruan Cakaj.

Pas këtij akti solidariteti nga ana e Hungarisë ka reaguar edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha i cili shprehet se e ka falenderuar personalisht ministrin hungarez.
“Mirënjohje për Hungarinë, kryeministrin Orban dhe ministrin e jashtëm Péter Szijjártó për ndihmën e çmuar për pajisje mbrojtëse në këto ditë të vështira për vendin tonë, ku po rritet çdo ditë numri i të infektuarve në radhët e stafeve mjekësore. E falenderova personalisht ministrin Szijjártó dhe i kërkova të shohë mundësinë për të ndihmuar edhe më tej Shqipërinë e cila sot po përballet edhe me një krizë të madhe ekonomike, ku papunësia dhe pamundësia e qytetarëve për të siguruar ushqimin e përditshëm rritet çdo ditë”, shkruan Basha.
