Kryeministri Rama, në një lidhje direkte me emisionin "Opinion", deklaroi se duke filluar nga java që vjen dhe në vijim do të vihet në zbatim plani i hapjes së disa bizneseve. Bizneset janë ndarë në tre grupi risku, me risk të ulët, mesëm dhe të lartë, nga grupi i ekspertëve pranë qeverisë.
Fillimisht do të nisë hapja e aktiviteteve me risk të ulët, më pas ato me risk të mesëm dhe në fund ato me risk të lartë.
Rama dha disa shembuj për tre kategoritë, ku në kategorinë me risk të ulët listohen ndër të tjera, shitjet me pakicë në tregjet ushqimore dhe të rrobave, aktiviteti i taksive me një person, tregtia e luleve, kafshëve të shtëpisë, bizhuteritë, bizneset e audio- video, lodrat për fëmijë në dyqane të specializuara, etj.
"Kjo është fasha e parë që duam ta hapim në ditët në vijim, por është e rëndësishme të hyjë në fuqi kodi penal se nuk bëhet lojëra me jetët e njerëzve", u shpreh Rama.
Në kategorinë e dytë të bizneseve me risk të mesëm futen: Transporti rrugor urban dhe ndërurban, tregtia me pakicë e mallrave të përdorur, artikuj në tregje, autoshkolla, shërbim shkollorë mbështetës.
Qendrat estetike, restorantet që nuk kanë shërbim taksi, dhe lokalet do të hapen të fundit dhe Rama tregoi se për këto ka një debat mes grupit të ekspertëve.
