Situata nga Koronavirusi paraqitet e rëndë në Mbretërinë e Bashkuar. Ditën e sotme janë shpallur 861 viktima duke e çuar në 13.729 numrin e personave që kanë humbur jetën në total.Brenda 24 orësh janë konfirmuar 4.617 raste të reja me Koronavirus dhe numri i përgjithshëm i ka kaluar 100.000 të infektuar.
Në total numërohen 103.093 persona me Koronavirus. Mbretëria e Bashkuar është vendi i gjashtë në botë për numrin më të lartë të të prekurve, pas SHBA-së (646.389), Spanjës (182.816), Italisë (165.155), Francës (147.863) dhe Gjermanisë (135.549). Përsa i përket numrit të viktimave, Mbretëria e Bashkuar rradhitet e pesta, pas SHBA-së (28.640), Italisë (21.645), Spanjës (19.130) dhe Francës (17.167).
Të dhënat nga NHS në Angli tregojnë se dita më vdekjeprurëse në Britani, mund të ketë qenë 8 Prilli. Atë ditë spitalet regjistruan 771 viktima. Totali i vdekjeve që janë shpallur çdo ditë, që rregullisht kanë qenë më të larta se kaq, në të vërtetë nuk paraqet numrin e personave që vdesin për 24 orë. Sot për shembull, vetëm 151 viktima nga 861 në total kanë humbur jetën dje.
Numri i të vdekurve sot është më i larti në pesë ditë ama rritja nuk ka ardhur në mënyrë të papritur. Zyrtari kryesor mjekësor i Anglisë, profesori Chris Whitty tha në një njoftim për qeverinë se sot priste një rritje të numrit. Ai shprehet se vendi nuk mund të jetë i sigurt se e ka kaluar pikun e shpërthimit. Qeveria pritet që këtë pasdite të njoftojë njerëzit se duhet të qëndrojnë të mbyllur dhe për tre javë të tjera.
Burimi: "Daily Mail"
