Është gjetur e pajetë në banesën e saj në Prishtinë, gazetarja dhe kompozitorja 44-vjeçare, Violeta Rexhepagiqi. Violeta prej vitesh punonte në Radio Televizionin e Kosovës. Ajo është motra e këngëtarit të mirënjohur, Armend Rexhepagiqit.
Nuk bëhet ende i ditur shkaku i ndarjes nga jeta të gazetares, por policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.
"Sot rreth orës 09:30 policia ka marrë informatën se në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë, saktësisht në një shtëpi, gjendet një person pa shenja jete. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur viktimën grua, e cila ishte pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, tha zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për gazetën Koha.

Violeta në vite ka punuar në RTP, pastaj në RTK, ndërsa gjatë viteve të 90′ ishte korrespodente në TV Sky News.

