Nga Shqipëria / E Enjte 16 Prill 2020, 12:12

Rama: Fituam fazën e parë të luftës, asnjë shtet s’ka bërë më shumë se ne

Gjatë seancës plenare që u zhvillua këtë të enjte, kryeministri Rama u deklaroi se Shqipëria e ka fituar fazën e parë me Covid-19. Sipas kryeministrit asnjë vend tjetër në glob nuk ka bërë asgjë më shumë se ne. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se Shqipëria do ta fitojë edhe betejën në frontin e ekonomisë.

"Është normale që sot pas kësaj periudhe kaq dramatike të dëgjosh lloj lloj dëngalsh që faktikisht janë të mirëkuptueshme kur vijnë nga njerëz të zakonshëm të cilët duke mos e përjetuar tragjedinë përveçse nga ekranet e televizorit, përjetojnë stresin, pasigurinë, ankthin e dëmit mbi ekonominë e tyre familjare. Por është anormale që dënglat t'i dëgjosh nga njerëz që kanë mikrofon përpara, kamera, kanë një zë që shkon përtej zërit të një njeriu të zakonshëm.

Jo projeksionet tona, por të bëra nga ekspertë të pavarur dhe që janë publikuar në krye të herës në ekrane flisnin për mundësinë potenciale që nëse nuk do ishte marrë asnjë masë ne do të kishim 18 mijë të vdekur. Ndërsa projeksionet tona sikur masat të mos ishin imponuar dhe respektuar nga shumica e shqiptarëve, flisnin për 2800 të vdekur. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë, vlerësohen edhe për atë që ndalojnë të ndodhë. Nuk ka asnjë argument dhe asnjë arsye mbi baza të qëndrueshme logjike që të hedhë poshtë faktin se sot Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm.

Natyrisht në kushtet e stresit dhe mungesës së durimit për t'u informuar drejt nga burime zyrtare ka hapësirë edhe për teoritë e konspiracionit dhe për fantazitë mbi një komplot të madh botëror. Por e vërteta është se ne jemi këtu sëbashku me të gjithë botën. Edhe OBSH është shfaqur më shumë se një herë kontradiktore me vetveten. Një përballje që ka gjetur botën në befasi. Unë di të them dhe di ta faktoj që asnjë vend, në glob nuk ka bërë asgjë më shumë sesa kemi bërë ne. Dhe jo rastësisht Shqipëria renditet mes vendeve me plagët më të lehta krahasuar me shumë vende të tjera. Shqipëria nuk ka kujt t'i ketë zili. Ne po e fitojmë betejën në frontin e shëndetësisë dhe ne do ta fitojmë edhe betejën në frontin e ekonomisë, natyrisht me sakrifica, stres dhe me durim. Por padiskutim do t'i fitojmë të dyja betejat".