Nga Shqipëria / E Mërkurë 15 Prill 2020, 18:06

A do të zhduket Covid-19 apo do të kthehet sërish në vjeshtë? Flet shefja e epidemiologjisë

Silva Bino, shefja e epidemiologjisë së ISHP-së, në një intervistë për ABC News ka folur për situatën e Koronavirusit në vend. Mes të tjerash ajo ka treguar nëse pret që pandemia të zhduket apo të rikthehet sërish në vjeshtë.

Bino shprehet se po mundohen të kuptojnë sa më shumë në lidhje me virusin dhe sjelljen e tij te njerëzit. Ajo ka treguar se kur sëmundja ka vdekshmëri të lartë ka gjasa të zhduket më herët por kur nuk ka një vdekshmëri të lartë nuk ka gjasa të zhduket shpejt.

"Virusi ka mendjen tij, në mundohemi të kuptojmë sa më shumë në lidhje me virusin dhe sjelljen e tij tek njerëzit. Kemi projeksione matematike dhe shkojmë sipas modelit që është përgatitur. Kur sëmundja ka vdekshmëri të lartë ka gjasa të zhduket më herët, por kur nuk ka një vdekshmëri të lartë nuk ka gjasa që të zhduket shpejt.

Kjo është një sëmundje që ka thyer të gjitha barrierat. Kemi bërë gjurmimin e thelluar epidemiologjik, kemi eksploruar përtej masave. Virusi mund të qarkullojë në mënyrë më të ulët gjatë verës, por gjithnjë duhen respektuar masat e distancimit social", u shpreh ajo per "ABC News".