Nga Shqipëria / E Mërkurë 15 Prill 2020, 16:04

'Pse më le vetëm?', i moshuari nga Kavaja vdiq nga koronavirusi, djali tregon momentet e fundit

Në emisionin "Me zemër të hapur" në News 24, ishte i ftuar djali i pacientit 77-vjeçar nga Kavaja që humbi jetën nga koronavirusi. 77-vjeçari ka 6 fëmijë, por asnjëri nuk ishte i lejuar ta takonte. Djali i viktimës, 42-vjeçari Fatbardh Bekteshi rrëfeu momentet prekëse të ditëve të fundit të babait të tij dhe sesi ai u infektua. 

"Unë jam 42 vjeç me origjinë nga Kavaja. Prindërit banojnë në Kavajë, por unë kam disa vite që jetoj në Gjermani me familjen. Me datë 6 mars erdha në Shqipëri për babain, pasi ishte shumë i sëmurë. Babai u sëmur që në shkurt. Fillimisht u shtrua në Durrës dhe më pas ka qëndruar 3 ditë në shtëpi. Gjendja e tij nuk u përmirësua dhe e dërguam në spitalin e Kavajës, ndërsa më vonë me urgjencë te Sanatoriumi në Tiranë. Kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë dhe jetojmë në Gjermani me letra të rregullta.

Rrugën e emigracionit e nisa në vitin 96-të me gomonë në shtetin italian, ndërsa në vitin 2014 u largova në Gjermani për shkak të krizës ekonomike. Për momentin nuk punoj dot për shkak të një aksidenti që kam bërë në punë. Jam rrëzuar në kantier dhe kam thyer qafen. Konsiderohem 45% invalid dhe jam në terapi e sipër. Me datë 6 mars u ktheva në Shqipëri për babain. Ai vuante nga sëmundja e diabetit. Para katër vitesh ka patur probleme me frymëmarrjen. Babai jetonte vetëm me nënën. Sapo nëna na tregoi për gjendjen e rëndë shëndetësore të babait, unë së bashku me motrat dhe vëllezërit u kthyem për t’i qëndruar pranë.

Në kohën kur u përhap pandemia COVID-19, babai nuk ishte i infektuar. Unë dyshoj se babai është infektuar në spitalin e Sanatoriumit ku ishte shtruar për problemet e tij shëndetësore. Mjekët i bënë tamponin dhe rezultoi pozitiv. Para se t’i bëhej tamponi, unë kisha përgatitur fletë-daljen e tij nga spitali. Mjekët thanë që duhet bërë tamponi dhe më duhet të prisja përgjigjen. Kur ka qenë i shtruar në Sanatorium i kam qëndruar te koka çdo ditë, por kur e kaluan në Infektiv nuk më lejuan më.

Kërkova që të më bëjnë një kontroll dhe mua, por më thanë është vetëm për pacientët. U ndjeva keq. Fillova të dyshoj se mund të jem infektuar më COVID-19, prandaj vendosa që të qëndroj në shtëpi i izoluar për 14 ditë, në një dhomë veç me familjen. Nuk doja të infektoja të tjerët. Atë ditë u ndava përgjithmonë me babain. Nuk patëm asnjë shans për ta parë. Dy javët e fundit të jetës, babai i kaloi pa asnjëri te koka. Me shumë vështirësi arritëm të komunikojmë me telefon.

Babai për fat të mirë mbante mend numrin e telefonit të një bashkëfshatari, me të cilin kishte miqësi. Ka përdorur telefonin e një djali nga Shkodra, i shtruar edhe ai në të njëjtin spital. Në këtë bisedë babai më tha: “Ku je? Pse më le vetëm?!” Ne jemi 6 fëmijë, 2 djem dhe 4 vajza. Të tjerët jetojnë në Itali, vetëm unë në Gjermani. Babai jetonte me nënë në Kavajë. Me babain ka biseduar dhe motra që është këtu. Fjalët më prekëse kanë qenë: “Ku je? Pse më le vetëm?” Më thoshte; “më ke lënë pa rroba”. Unë përpiqesha që t’i shpjegoja situatën, se “jemi të izoluar dhe nuk mund të lëvizim”.

Në një bisedë me motrën, babai ka kërkuar ujë të ftohtë. Nga Sanatoriumi për në Infektiv babai ka shkuar me një palë tuta dhe një panolinë. Nuk arritëm t’i jepnim rroba me vetë. Motrës i ka kërkuar një gotë kos dhe i është ankuar për ushqimin, të cilin nuk e hante dot. Thoshte: “Pse nuk vini të më merrni?!”. Unë e kam mbajtur si një fëmijë të vogël, nuk do e linim vetëm kurrë! Kur na erdhi lajmi që është me COVID-19, ishte ditë e hënë dhe mjekët e bënë pushim. Ishte data 16 mars. Ky ishte tamponi i parë që iu bë babait dhe rezultoi pozitiv. Përgjigjen ma dhanë me telefon me datë 17 mars. Me datë 31 mars ka ndërruar jetë në infektiv. Lajmin e vdekjes e mora nga doktoresha e Epidemiologjisë së Kavajës. E dëgjova dhe në televizor, se një 77-vjeçar me COVID-19 ka ndërruar jetë. Këtu dyshova”, tha djali i viktimës, Fatbardh Bekteshi.

“Babi nuk ka pasur oreks ngaqë ai edhe hante me diete dhe donte disa produkte që ai i kërkonte t’ja çonim nga jashtë. Ne e mësuam lajmin e vdekjes nga mediat dhe me vonë pastaj zonja Flutura e Shëndetësisë së Kavajës, e cila me tha se “babai ka ndërruar jetë”. Pastaj me ndihmën e Ministres së Shëndetësisë, e cila na pohoi se duhet të shkoi dikush ta marrë trupin. Shkoi vetëm djali i xhaxhait. Ai e shoqëroi trupin për në Kavajë. Në varrim ishim vetëm 3 vetë. Mezi po presim t’i bëjmë ceremoninë mortore ashtu siç i takonte babait", tregoi ai.

Pjesë e emisionit ishte edhe vajza e viktimës, e cila jeton jashtë shtetit. Ajo tha se babai vazhdimisht i kërkonte që ta takonin fëmijë dhe mos ta linin vetëm. “Telefonatat kanë qenë të shpeshta. Sa here flisnim kërkonte, djalin Fatbardhin. “Pse nuk vini të më merrni, unë do vdes këtu” thoshte. Ne i thoshim që; “nuk na lejon kush që të vijmë”. Por ai na kërkonte ujë. Jemi prekur shumë, na vjen keq që nuk na pa me sy dhe nuk i qëndruam pranë. Kërkonte kosin e shtëpisë dhe ujin e ftohtë. Duam t’i bëjmë ceremoninë siç i takon, sepse iku me dy veta në banesën e fundit. Ne u kthyem nga jashtë për t’i qëndruar pranë. Situata është shumë e rëndë, ndaj do t’ju thoja të gjithëve që të qëndrojnë brenda dhe të zbatojnë rregullat”, tha vajza e të moshuarit.

Burimi: balkanweb