Nga Shqipëria / E Mërkurë 15 Prill 2020, 11:11

E fundit/ 19 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri, MSH: E kemi situatën në kontroll

Ministria e Shëndetësisë njofton se në 24 orët e fundit janë shënuar 19 raste të reja me koronavirus në vendin tonë. Kështu numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 494. 

Në 24 orët e fundit janë testuar 252 persona të dyshuar, nga të cilët  44 personel shëndetësor.

Janë konfirmuar 19 raste të reja me Covid-19, 1 në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 në Elbasan dhe 5 në Kukës, prej të cilëve njëri personel shëndetësor.

Në total janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë konfirmuar pozitiv 494 raste.

Edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarësisht luhatjeve ditore kurba vazhdon të mbetet e qëndrueshme dhe situata është tërësisht nën kontroll.

Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në Spitalin Infektiv një pacient 90-vjeçar i cili përveç Covid-19, vuante edhe nga diabeti, asma bronkiale, hipertensioni arterial.

Betejën me sëmundjen e kanë humbur 25 qytetarë.

Gjatë 24 orëve të fundit 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve duke e çuar numrin e të shëruarve nga Covid-19 në 251. 

Ju informojmë se në shërbimin Infektiv aktualisht janë 39 të shtruar, 5 prej tyre në terapi intensive. Në spitalin Covid 2 "Shefqet Ndroqi" janë 9 pacientë të shtruar, 7 prej të cilëve në terapi intensive, 4 të intubuar në gjendje të rëndë. Tek të dy spitalet aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë.