Nga Shqipëria / E Mërkurë 15 Prill 2020, 10:10

Shahini: Ja çfarë pyetjesh do të keni në testin e maturës

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini u ka bërë të ditur maturantëve se në provimet e maturës nuk do të ketë pyetje mbi tema që janë zhvilluar nga shtëpia. Ministrja u shpreh se jo të gjithë nxënësit kanë mësuar me të njëjtin ritëm dhe cilësi.

Është ngritur një grup ekspertësh që kanë bërë të mundur hartimin e pyetjeve, duke hequr çdo temë që është bërë nga shtëpia.

“Në testin e maturës nuk do të ketë pyetje që reflektojnë tema që janë mbuluar gjatë kohës që kemi mësuar në kushte shtëpie. Pra, në testin e maturës do të kemi pyetje nga klasa e 10-të, 11-të, si dhe nga klasa e 12-të për temat që janë zhvilluar sa kemi qenë ende duke mësuar në shkollë. Kjo për arsye se e kuptojmë që zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie është i vështirë.

Jo të gjithë nxënësit kanë mësuar mbi temat e reja në tempo dhe me të njëjtën cilësi. Ndaj që të jemi të drejtë, kemi vendosur që t’i heqim këto nga testi i maturës. Një nxënës na pyet se nga e dimë ne se kush janë bërë në kushte shtëpie. Unë i them se personat që hartojnë testet e maturës janë ekspertë. Ata kanë hequr të gjitha temat që janë bërë në kushte shtëpie”, thotë Shahini.