Nga Shqipëria / E Martë 14 Prill 2020, 16:04

Zbuten dënimet për shkelësit e karantinës, ndryshimet e reja në Kodin Penal

Mazhoranca ka vendosur sot në Komisionin e Ligjeve zbutjen e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal. Me votat e shumicës, Komisioni i Ligjeve vendosi që nga 5 vite burg të ulë dënimin duke e bërë nga masa gjobë deri në 3 vite heqje lirie.

Dënimi për përhapjen e sëmundjeve infektive është ulur nga maksimumi 10 vjet në 5 vjet.

Por nëse virusi i shpërndarë dëmton rëndë jetën e të tjerëve apo shkakton vdekjen e tjetrit, dënimet do të vijojnë të jenë 10 dhe 15 vjet burg. Kodi i ri Penal do të votohet më datën 16 prill në parlament.

Ligji i ri:

KREU VIII,

SEKSIONI III

VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE

Neni X

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhërat ose vendimet e nxjerra nga organet shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore,kur është dhënë më parë masë administrative, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin e detyrueshëm apo shkelja e rregullave të karantinës ose izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Neni XY

Përhapja e sëmundjeve infektive

Moszbatimi apo kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat apo vendimet e organeve shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin apo luftimin e sëmundjeve infektive, kur ka shkaktuar përhapjen e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin te njerëzit, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër, ka shkaktuar vdekjen e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.