Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, paralajmëroi para disa ditësh se kjo javë kurba e të infektuarve nga koronavirusi në vendin tonë do të ulej, por tashmë kjo është me dyshim. Në një lidhje telefonike me "News24", mjeku u shpreh se këtë javë diçka nuk ka shkuar siç duhet, ndaj ka pasur një rritje të rasteve të reja gati dyfish.
Pipero i vë gishtin Shkodrës që ka pasur rritje të rasteve për shkak të mosrespektimit të masave.
"Në fundjavë ka pasur një rritje, thuajse dyfish dhe them se diçka ka çaluar. Kjo epidemi ka disa indikatorë, në radhë të parë monstrat për të bërë analizat apo gjurmimin e rasteve të kontaktit që e vlerësoj efikas nga të dhënat e ISHP që janë gjurmuar 60- 70% të rasteve dhe është një shifër optimale sipas OBSH.
Respektimin e masave nga qytetarët për të respektuar distancimin social, karantinimin dhe këshillat e mjekëve. Diku besoj unë se shifrat që lamë pas janë 30- 40 raste më pak se një javë, por diku ka çaluar.
Nëse shohim rastet në Shkodër 13 nga dita e djeshme dëshmon se në Shkodër nuk janë respektuar masat ose nuk janë gjurmuar rastet e kontaktit.
Unë e kam thënë që java që sapo mbyllëm do të jetë në numër shumë më të vogël, mund të ketë oshilacione. Janë më të ulëta por fundjava ka qenë rritje e qëndrueshme sikundër do të dëshironim. Por bazuar në përhapjen e pandemisë në vendet e tjera dhe prisja këtë. Mendoj se diçka ka çaluar 21- 29 nuk është diferencë shumë e madhe.
Duhet të analizohet pse. Si mund ta bëjmë më mirë dhe për të monitoruar që të gjurmojmë më shpejt dhe të monitorojmë në tërësi përhapjen e kësaj pandemie në vendin tonë", tha Pipero.
