Nga Shqipëria / E Hënë 13 Prill 2020, 16:04

Vdekja e pacientit në Shkodër, reagon MSH: Koronavirusi nuk ishte shkaku por...

Këtë të Hënë u raportua nga mediat se një shtetas 59 vjeçar me iniciale M.S në Shkodër ka humbur jetën nga Koronavirusi, duke e çuar në 24 numrin e viktimave në vendin tonë.

Mirëpo pas këtij lajmi ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, e cila sqaron se 59 vjeçari nuk e ka humbur jetën nga Koronavirusi.

M.S ndodhej në gjendje kome në spitalin rajonal të Shkodrës dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Ditën e djeshme ai kishte rezultuar mbartës i virusit, mirëpo pa shfaqur simptoma.

Njoftimi:

59-vjeçari, me inicialet M.S., nga Puka, ndodhej në gjendje kome në spitalin rajonal të Shkodrës, ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e hemorragjisë cerebrale (aksident cerebral vascular) dhe jo si pasojë e COVID19, nga i cili ka rezultuar bartës ditën e djeshme, por pa simptoma të COVID19.

Ministria e Shëndetësisë informon se në Shkodër ka nisur një hetim epidemiologjik, pas konfirmimit të një infermiereje të spitalit rajonal Shkodër pozitiv në 24 orët e fundit (rasti i personelit shëndetësor i raportuar në deklaratën për media të ditës së sotme).
Sipas epidemiologëve dhe përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik që po kryejnë hetimin epidemiologjik në terren, dyshohet se ky rast është i lidhur me rastin e infermieres, e cila, sipas hetimit epidemiologjik, është infektuar në komunitet.

Nga rezultatet e testimeve të kryera në spitalin e Shkodrës, në 10 pacientë të shtruar që kanë qenë në kontakt me infermieren e infektuar, kanë rezultuar 4 pacientë të prekur, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon COVID19.

Njëri prej tyre, 59-vjeçari me inicialet M.S. ka ndërruar jetë, ndërsa tre pacientë të tjerë që janë bartës të COVID19 janë transferuar gjatë ditës së sotme në dy spitalet COVID.