Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ishte e ftuar sot tek "E diela shqiptare", ku foli lidhur me metodën e mësimdhënies, e aplikuar në kushtet në të cilat jemi dhe sesi do të zhvillohen provimet.
Shahini u shpreh se testet do të përgatiten me pyetje të njohurive kryesore dhe nëse karantina zgjat, për çdo rast ka nga një skenar.
"Ne po përpiqemi deri në fund që t’i mbajmë provimet e maturës sepse matura e mbyll gjithë ciklin e arsimit parauniversitar. Ndërsa provimet e klasës së pestë mund të mos i mbajmë. Por kjo është vetëm një ide nëse karantina zgjat. Duhet të marrim parasysh gjendjen dhe nëse nuk arrijmë të kthehemi në shkollë mjaftueshëm të përgatitur, do e bëjmë testin që të ketë pyetje me njohuri që nxënësit duhet të ketë. Nëse kthehemi në shkollë në javën e dytë të prillit kemi një skenar, nëse kthehemi javën e dytë të majit kemi një skenar tjetër, nëse nuk kthehemi deri në qershor, kemi një skenar të tretë", u përgjigj Shahini.
