Të Dielën e 6 Prillit kryeministri britanik, Boris Johnson u shtrua në spital. Simptomat e tij të Koronavirusit ishin të vazhdueshme dhe kishte temperaturë të lartë.
Gjendja e tij u përkeqësua dhe ai kaloi në terapi intensive, ku për tre netë mori kujdes të vazhdueshëm nga mjekët. Pas tre netësh shëndeti i tij u stabilizua dhe Johnson arriti të dilte nga terapia intensive.
Ai po mbahej akoma në spitalin St Thomas në Londër, ku ishte në monitorim të vazhdueshëm gjatë fazës së rikuperimit. Mirëpo këtë të Dielë kryeministri britanik ka dalë nga spitali.
"Downing Street" ka konfirmuar se Johnson ka dalë nga spitali për ta vazhduar fazën e rikuperimit në shtëpi. Për momentin ai nuk do të kthehet menjëherë në punë.
