Nga Shqipëria / E Premte 10 Prill 2020, 16:04

Lufta kundër Koronavirusit/ 30 respiratorë të rinj për Shqipërinë

Këtë të premte është nënshkruar një marrëveshje e përbashkët partneriteti ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP) , e cila ka si qëllim mbështetjen ndaj Shqipërisë në luftën e Koronavirusit, përmes blerjes së 30 respiratorëve.

Për këtë qeveria zvicerane po dhuron 330,000 USD, qeveria norvegjeze 3,000,000 Krona Norvegjeze dhe UNDP 100,000 USD dhe respiratorët pritet të vijnë në Shqipëri brenda muajit.

"Vetëm përmes frymës solidare, duke bashkuar forcat, mund t’i bëjmë ballë një armiku të padukshëm si Koronavirusi. Shumë e kënaqur që firmosëm sot marrëveshjen për blerjen e 30 respiratorëve të rinj, me partnerët tanë që na janë gjendur pranë në ditë të vështira, Ambasadorin e Zvicrës Adrian Maître, Ambasadorin e Norvegjisë për Shqipërinë Jens Erik Grondahl dhe Përfaqësuesen e Përhershme në Shqipëri të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Limya Eltayeb", shkruan Manastirliu.