Nga Shqipëria / E Premte 10 Prill 2020, 13:01

Tronditet Tirana/ I kërkoi lejen, i riu i drejton armën policit, dy të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në zonën e "Xhamllikut" në Tiranë. Policia i ka kërkuar lejen një kalimtari ndërsa ky i fundit i ka drejtuar armën. Drejtori i Policisë së Tiranës deklaroi për mediat se një nga efektivët e “Shqiponjave” ka ndaluar një person duke i kërkuar lejen e lëvizjes, ndërsa dyshonte se ai mbante diçka në çantë, e cila më pas rezultoi se ishte pistoletë. Sipas Jaupit, në këtë moment i dyshuari ia ka drejtuar armën efektivit të policisë duke e kërcënuar se do ta qëllonte. Në këtë pikë efektivi reagoi duke e qëlluar në këmbë. Plumbat kapën aksidentalisht edhe një kalimtare, e cila gjithashtu mbeti e plagosur në këmbë.

Rebani Jaupi:

Dua të informoj opinionin publik për këtë ngjarje që sapo ka ndodhur. Një punonjës policie i cili i ka kërkuar dokumentet e identifikimit një qytetari,  ky i fundit nuk i është përgjigjur. Në këtë moment polici i ka kërkuar qytetarit se çfarë po mbante në çantë, dhe qytetari ka tentuar të largohet, por polici e ka ndjekur nga pas. Polici ka qëlluar në ajër, ndërkohë që qytetari ka nxjerrë armën nga çanta, dhe ja ka drejtuar policit. Në këtë moment polici i ndodhur nën kërcënimin e armës së qytetarit, ka qëlluar në kushtet e mbrojtjes. Nga qitja e pistoletës ka marrë një plumb në këmbë një vajzë që kalonte rastësisht aty.

Burimi: abc news