Numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën nga Koronavirusi në SHBA është rritur. Një mësues shqiptar, Jani Depo nga Sinica e Devollit kishte 20 vjet që jetonte në Çikago dhe fatkeqësisht nuk ka arritur ta përballojë koronavirusin vdekjeprurës.
86 vjeçari kishte 12 ditë i shtruar në spital. Ai kishte dhe sëmundje të tjera shoqëruese në mushkëri dhe zemër, të cilat ja kanë rënduar gjendjen. Lajmin e hidhur e dhanë bashkëshortja e tij Arthimija dhe tre vajzat, Mirela, Albana dhe Edlira.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë trishtim te familjarët, miqtë si dhe te ish nxënësit e tij. Në këto kohë virusi, me njerëzit e izoluar, nuk do t'i jepet dot lamtumira e fundit ashtu siç e ka zakoni shqiptar.
Rruga e tij e gjatë si mësues ka vazhduar për 37 vjet. Ajo ka filluar në fshatrat Dunicë dhe Slabinjë të Pogradecit, më pas në Dradvicë, duke vazhduar në Menkulas e Miras të rrethit të Devollit, ku ka qenë dhe drejtor.
Rruga e mësuesisë është mbyllur në vendlindje, në Sinicë, ku ka dhënë mësim për 19 vjet deri sa doli në pension në vitin 1989. Në vitin 2000 ai ka shkuar në Çikago bashkë me familjen.
Për disa vite Depo ishte në kryesinë e Shoqatës Sinicare “Përparimi”, e cila si mision kryesor ka patur dhe ka ndihmën për vendlindjen.
Burimi: "Illyriapress"



