Nga Shqipëria / E Mërkurë 8 Prill 2020, 17:05

Masat e reja lehtësuese/ Rama: Ja ç'do ndodhë brenda 15 Prillit

Me anë të njoftimi ndërmjet llogarisë së tij në Facebook, kryeministri Edi Rama, ka bërë me dije se qeveria po përgatitet për ndryshime në kodin penal dhe rrugor, si masa shtrënguese në luftën kundër Koronavirusit.

Ai shprehet se shoferëve të pabindur do t'iu hiqet leja e drejtimit për disa vite si dhe qytetarët që shkelin rregullat do të dënohet me burgim. Po ashtu kryeministri ka folur dhe për masat lehtësuese. Rama shprehet se brenda 15 Prillit do të jetë gati paketa e zgjeruar financiare dhe gatishmëria për miratimin e masave lehtësuese në qeveri, si edhe masave të reja penale në Kuvendin e Shqipërisë.

Njoftimi i plotë:

“Masat e reja shtrënguese, për të cilat po përgatitemi t’i drejtohemi parlamentit për ndryshime në Kodin Penal & Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe specifikisht epidemisë, nga njëra anë do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte, nga ana tjetër do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vazhdim, duke siguruar shëndetin e çdo qytetari.

Heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vjet, e po ashtu heqja e lirisë, për disa apo shumë vite sipas shkallës së shkeljes, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës pa rrezikuar arritjet e derisotme dhe rrugën e rimëkëmbjes ekonomike pa cënuar shëndetin e askujt.

Brenda 15 prillit do të kemi paketën e zgjeruar financiare dhe gatishmërinë për miratimin e masave
lehtësuese në qeveri, si edhe të masave të reja penale në Kuvendin e Shqipërisë.”