Nga Shqipëria / E Mërkurë 8 Prill 2020, 13:01

'Koronavirusi ka qarkulluar që në janar', Epidemiologu: Ja kur do zhduket krejtësisht

Profesori i Epidemiologjisë, Eduard Kakarriqi shprehet se Koronavirusi ka qarkulluar që në janar në vendin tonë. Në një intervistë për "Abc News", Kakarriqi thekson se fakti që ky virus ka qarkulluar shumë më herët në vend, do të sjellë edhe uljen e kurbës. Sipas tij, java e dytë e majit do të ketë vetëm raste sporadike dhe vera do të jetë e qetë në vendin tonë.

Gjithashtu epidemiologu shprehet se virusi nuk do të rikthehet më në vjeshtë, ashtu sikurse pretendojnë shumë ekspertë.

"Unë dua të vë theksin se OBSH vetëm me datën 27 shkurt publikon përkufizimin e rastit për Covid-19, ky përkufizim rasti i munguar për të gjithë vendet mund të jetë një bazament që të tregojë se vërtet ka pasur një qarkullim të Covid-19 duke filluar që në janar në vendin tonë. Ky qarkullim ka ardhur duke u rritur në fund të javës së dytë të shkurtit në fillim të marsit. Por me një prirje drejt uljes në fund të prillit dhe fillim të majit. Janë fakte pak a shumë jo të drejtpërdrejta që qarkullimi i Covid në vendin tonë fillesat i ka në janar.

Unë në gjykimin e tim mendoj se gjysma e dytë e muajit maj do të jetë në një rënie jo të vogël rastesh, do të kalojë në një kurbë të rasteve sporadike për të kaluar më pas në qershor, dhe korrik muaj të qetë të verës. Por për gjykimin tim për të mos pasur një rikthim në vjeshtë. Për mua në verë virusi zhduket. Në Shqipëri dhe në Evropë. Në Amerikë jo them, ndoshta nga fundi i verës, dhe nga fundi i verës ai mbetet vetëm në Kinë", tha epidemiologu.