Nga Shqipëria / E Martë 7 Prill 2020, 10:10

'Ai është miku ynë', Trump ofron ndihmë për shërimin e kryeministrit britanik

Pasi ka mësuar lajmin se Boris Johnson është dërguar në kujdes intensiv, Presidenti Donald Trump ka ofruar ndihmë. Në një konferencë Presidenti Trump tha se u kishte kërkuar disa prej kompanive kryesore që “të kontaktojnë menjëherë Londrën”.

“Do të shohim nëse mund të jemi në gjendje të ndihmojmë. Kemi kontaktuar me të gjithë mjekët e Borisit dhe do të shohim se ç’mund të bëhet, por ata janë të gatshëm të shkojnë,” tha Presidenti Trump.

I pyetur nga një gazetar për të specifikuar trajtimin e mundshëm me të cilin mund të ndihmohet kryeministri britanik, Presidenti Trump tha se fjala ishte për një trajtim shumë kompleks me mjete që sapo janë zhvilluar kohët e fundit. Ai tha se zyrtarët në SHBA kanë pasur takime me mjekët, dhe se “do të shohim nëse ata duan apo jo t’i hyjnë kësaj rruge mjekimi”.

I pyetur nëse Kryeministri Johnson e kishte minimizuar rrezikiun e koronavirusit, Presidenti Trump tha: “Unë mendoj se Borisi po e shikonte atë ndryshe, po e shikonte me mendimin që ‘le të presim se do të kalojë vetë’. Kishte shumë njerëz që mendonin ta kalonin kështu, në pritje, por më vonë e kupton se çfarë ndodh she shifrat bëhen gjigante.”

Presidenti Trump tha “urimet më të mira ndaj një miku shumë të mirë timin dhe të vendit tonë.”