Gazetari i njohur Blendi Fevziu ishte pasditen e sotme i ftuar në programin "Rudina". Ai ka treguar se e kishte idenë që Shqipëria do të prekej nga Koronavirusi, që kur u shfaq për herë të parë në Kinë. Kjo sepse jetojmë në një botë të integruar, ku gjërat që ndodhin diku njëkohësisht të prekin dhe ty.

Përsa i përket përjetimit personal, Fevziu ka treguar se nuk trembet për veten por për të atin dhe vajzën e vogël, për familjen. Po ashtu gazetari është shprehur se nëse preket do e ketë të vështirë për të zhvilluar emisionin, ama do përpiqet në çdo rrethanë, vetëm po qe i intubuar që nuk do të mundet.
"Unë e kisha idenë që Shqipëria do bëhej pjesë e kësaj harte, që në momentin e parë që ndodhi në Kinë. Unë kam bërë emisionin e parë ndër gjithë mediat shqiptare, emisionin dedikuar asaj që po ndodhte në Wuhan. Madje në atë moment pati shumë njerëz që më thanë ç’e humbe audiencën me Wuhan, kush çan kokën çfarë ndodh në Kinë. Në fakt unë e kam gjithmonë bindjen dhe e kam pasur që sot jetojmë në një botë globale, në një botë të integruar. Dhe të jetosh në një botë të integruar do të thotë që gjërat që ndodhin diku, njëkohësisht të prekin dhe ty. Unë që në fillim e ndoqa, pata dhe një kurizitet më të madh për të parë se çfarë po ndodhte, edhe në ambientet miqësore e përmendja shpesh dhe nuk isha fare i papërgatitur. Natyrisht ritmi i kësaj që po ndodh ishte jashtë çdo lloj logjike normale, ishte jashtë asaj që unë mund të mendoja, por që do të vinte dhe që situata do të agravonte ishte e kuptueshme.
S’kam patur asnjë shqetësim. E para njëherë trembja në vetvete kam merak për tim atë, kam merak se në rast se do prekem do e kem të vështirë për të zhvilluar emisionin, vetëm po qeshë i intubuar se po të jem do ta bëj në Skype, në çdo rrethanë. Kam merak për vajzën e vogël, se gjithsesi duhet të rrish 2-3 javë pa e takuar, për familjen. Vetë personalisht nuk kam ndonjë shqetësim. Madje një moment po mendoja, i thashë dhe drejtorit të Spitalit Amerikan, ka ndonjë metodë të injektohet, të infektohem që ta kaloj se pastaj herën e dytë thonë, fiton një lloj lirie, pra izolohesh dy javë, por fiton një lloj lirie. Por pikëpyetja është se ti nuk e di si e kalon, domethënë si do reagojë trupi", ka treguar Fevziu.
