Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në një intervistë për Ilva Taren në "Euronews", tha se shumë shpejt Shqipëria do të nisë testimet përmes një analize të gjakut për të parë antikorpet tek individët me imunitet të fortë dhe që mund të rikthehen në jetë normale pasi nuk janë të rrezikuar.
Ilva: Pse nuk po kryen testime masive të popullatës, gjë që po ndodh në disa vende? Gjithashtu ka një tjetër mënyrë që po përdoret aktualisht në veri të Italisë, një analizë testimi e gjakut për të parë antikorpet në disa individë të cilët mund të kenë imunitet të fortë dhe do të lejohen të kthehen në jetën normale pasi nuk janë të rrezikuar si disa të tjerë që nuk i kanë këto antikorpe.
Eugena: Për t'ju thënë të vërtetën Komiteti Teknik sapo ka miratuar faktin që edhe testimi cerologjik me prezencën e igG apo igM, do të hyjë në vijim në QSUT dhe ndoshta që nga dita e nesërme ky proces do të jetë aktiv për të testuar të gjitha fashat ose grupet që janë të riskuar apo që e kanë pasur në mënyrë asimptomatike. Kjo analizë gjaku do të kryhet në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT.

Ilva: Personat që duan ta kryejnë këtë analizë, duhet të shkojnë atje? Si do funksionojë?
Eugena: Protokolli është ende duke u definuar dhe në ditët në vijim do të keni ekzakte sesi do të procedohet. Asnjë individ nuk mund të shkojë në laboratorin e QSUT, por do të monitorohet nga mjekët e familjes.
