Nga Shqipëria / E Hënë 6 Prill 2020, 16:04

Ky vend i Europës vendos të dalë nga izolimi: Do hapen dyqanet, lokalet, restorantet...

Vendi i parë i Europës që ka vendosur të dalë nga izolimi është Austria. Austria ka bërë plane për të lehtësuar izolimin kundër pandemisë së koronavirusit duke vendosur të hapë dyqane, lokale e restorante.  Kancelari Sebastian Kurz ditën e sotme paraqiti një program për të rimëkëmbur ekonominë austriake, me një seri hapash që do rikthejnë jetën normale dhe do minimizojnë rrezikun që numri i rasteve të reja të rritet sërish.

Kurz u bëri thirrje austriakëve të anulojnë çdo plan për të festuar Pashkët dhe theksoi se masat do të lehtësohen vetëm nëse respektohen me përpikmëri. "Vazhdoni të respektoni masat, shmangni kontaktet sociale, mbani distancën", tha kancelari.

Dyqanet e vogla, si dhe dyqane të mëdha do të lejohen të hapen përsëri nga 14 Prilli.

Nga 1 maji, bizneset e tjera që konsiderohen me rrezik pak më të lartë, përfshirë parukeritë do të lejohen të rihapen.

Qeveria tha se restorantet dhe kafenetë do të hapen përsëri në mes të majit, por pa dhënë një datë të saktë.

Ndërsa për hapjen e shkollave nuk është caktuar asnjë datë.

Autoritetet austriake kanë konfirmuar deri më tani 12,008 raste të koronavirusit. Shkalla e rritjes së infeksioneve të reja ditore është ulur në 2.8% nga 40% që ishte në mes të marsit, njoftuan autoritetet shëndetësore./Xing.al