Nga Shqipëria / E Hënë 6 Prill 2020, 17:05

La mamin e sëmurë dhe u nis për Itali, flet infermierja shqiptare: Frika është e madhe...

Këtë të hënë në një lidhje direkte për emisionin "Historia ime" ishte një ndër 30 infermierët dhe mjekët shqiptarë që shkuan për të ndihmuar në luftën kundër Koronavirusi. Infermierja Lindita Hasi, u shpreh se ndodhet në spitalin e Brescias dhe ka nisur nga puna.

Ajo ka treguar se janë direkt në terapi intensive dhe se vetëm dy apo tre ditë e para, iu kanë bërë një pyetësor për CV. Më pas iu kanë bërë tamponët nga ku kanë dalë të gjithë mirë.

Hasi po ashtu u shpreh se italianët i kanë pritur në mënyrë madhështore dhe se personeli tregohet shumë i afërt me ne. Infermierja ka lënë familjen në Shqipëri, një mami shumë të sëmurë. Ajo shton se frika është e madhe ama nëse kujdesesh dhe mbrohesh nuk të gjen gjë.

" Jam në spitalin e Brescias, në spitalin më të madh të zonës së Lombardisë. Me thënë të drejtën me kolegët që po punojmë, se unë dhe një ekip prej 3 infermierësh të tjerë jemi direkt në infektiv dhe pasi bëjmë biseda ku kemi pak kohë të lirë sepse koha është e kufizuar dhe na thonë se para se të vinim ne, situata ishte shumë e rënduar, kurse tani është drejt rënies dhe shpresojmë të bjerë akoma numri i pacientëve.

Jemi direkt në terapi intensive. Kanë qenë dy apo tre ditët e para, që na bënë një pyetësor për CV që gjithsecili prej nesh ka, për të na përcaktuar dhe në pavijonet që ne kemi eksperiencat në Shqipëri. Na bënë dhe tamponimin për të qenë të sigurt dhe ne dolëm të gjithë mirë. Shpresojmë që të kthehemi po të gjithë mirë.

Ka qenë një pritje madhështore që nga pushtetarët, qeveritarët, pastaj personeli është shumë i afërt me ne, shumë i mirë. Jo të gjithë e dinë komunikimin e gjuhës italiane rrjedhshëm, por edha ata që nuk flasin rrjedhshëm nuk e kanë aspak të vështirë, se janë shumë të afërt. Nuk i kisha njohur personalisht, kisha dëgjuar që janë popull i butë, por me të vërtetë janë kështu.

Kam lënë familjen ne Shqiperi, një mami shumë të sëmurë. Po ky ishte vendimi im, se kur bëhesh infermiere nuk duhet të pyesësh më për familjen sepse duhet të jesh gjithmonë e gatshme aty ku kanë nevojë për ty. Mamit i kam thënë në momentin e fundit.

Frika është shumë e madhe, nëse dikush thotë nuk ka frikë jam e sigurt qe gënjen, por nëse je e kujdesshme dhe mbrohesh, jam e sigurt që nuk të gjen asgjë nga kjo, ka treguar ajo.