Nga Shqipëria / E Diel 5 Prill 2020, 13:01

U nda sot nga jeta, pengu më i madh i Gëzim Krujës

Paraditen e sotme u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare, mjeshtri i humorit shkodran, Gëzim Kruja. Prej disa kohësh ai ishte në një gjendje jo të mirë shëndetësore.

Në një lidhje telefonike për Report Tv aktorja shkodrane, Drande Xhaj, ka treguar pengun që i mbeti Gëzim Krujës.

"Është e vërtetë që në portretin e tij dukej se kishte pengje dhe nuk mund t'i shprehte, një ishte festimi i 80-vjetorit me një premier të re, me materiale të reja. Dhe iku me këtë peng, por ai ka materiale të jashtëzakonshme që do të mbesin në historinë e humorit shqiptar", tha ajo.

Po ashtu Xhaj ka treguar se hera e fundit që ishin takuar ishte në 80 vjetorin e tij. 

"Ai prej disa vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë. Hera e fundit që u takuam ishte 80-vjetori, në atë gjendje, por më mirë, se e kemi si kujtim atë ditë. Ai fatkeqësisht nuk e kaloi këtë sëmundje", u shpreh aktorja.