Një qytetar nga Tirana është gjobitur me 700 mijë lekë pasi ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit. Dëshira për të dalë jashtë i ka kushtuar shtrenjtë këtij qytetari që u ndalua nga policia.
Policia bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti 33 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.
Ndërsa 223 persona janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë pasi u kapën duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Gjithashtu 2 persona janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
“Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020”, thotë policia.
Policia apelon qytetarët se nuk do të lejojë asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.
