Nga Shqipëria / E Shtunë 4 Prill 2020, 14:02

OBSH: Numri i të rinjve të sëmurë rëndë nga Koronavirusi po rritet

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë me dije se numri i moshave të reja që po sëmuren rëndë nga Koronavirusi, është në rritje, teksa numri i vdekjeve globalisht i tejkalon 50,000. Sipas deklaratës së OBSH-së, pacientët e moshave 30, 40 dhe 50 vjeç, po dërgohen në terapi intensive dhe po vdesin, ndonëse nuk kanë probleme të tjera shëndetësore. 

Dr Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i programit të urgjencave të OBSH-së, gjatë një konference për shtyp të premten në Gjenevë tha se 1 në 6 vdekje nga Koronavirusi në Kore, kanë qenë njerëz nën moshën 60 vjeç.

Po ashtu shtoi se gjatë gjashtë javëve të fundit, së paku 10-15% e njerëzve në njësitë e kujdesit intensiv në Itali, ishin të moshës nën 50 vjeç.

"Ne kemi jetuar kolektivisht në një botë ku jemi munduar të bindim veten se kjo sëmundje është më e rëndë te njerëzit e moshuar. Por unë mendoj se provat kanë qenë aty gjatë gjithë kohës", u shpreh ai.

Ndërkohë Dr Maria Van Kerkhove, tha se ka ende shumë të panjohura përsa i përket të rinjve që po vdesin.
"Në përgjithësi shumica e njerëzve që kanë kaluar në terapi intensive dhe kanë vdekur janë njerëz të moshuar dhe me sëmundje të tjera. Por ajo që po shohim në disa vende, tregon se individë në të tridhjetat, dyzetat dhe pesëdhjetat kanë vdekur gjithashtu", tha ajo.

Dr Kerkhove shtoi se OBSH duhet të arrijë të zbulojë pse të rinjtë po vdesin nga infeksioni.

Burimi: "Daily Mail"