Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber, ka njoftuar se të paktën 9 persona, anëtarë të komunitetit shqiptar në Amerikë kanë humbur jetën për shkak të Koronavirusit. Në një deklaratë në rrjete sociale ajo shkruan se tre nga viktimat janë nga Shqipëria, katër nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Mali i Zi.
Po ashtu ajo bën me dije se të paktën 30 anëtarë të tjerë të komunitetit shqiptar janë të sëmurë, ndërsa një pjesë tjetër kanë humbur punën.
"Të paktën nëntë anëtarë të komuniteti shqiptarë kanë humbur jetën, tre nga Shqipëria, katër nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Mali i Zi. Ambasadorja gjen rastin të shprehë ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave. Mbi tridhjetë anëtarë nga komuniteti ynë janë evidentuar në faza të ndryshme të sëmundjes. Me disa prej tyre është komunikuar drejtëpërdrejtë në telefon, të cilët kanë informuar se simptomat e sëmundjes janë të rënda, por fatmirësisht të kalueshme në kushte shtëpie. Bazuar në informacione, individët trajtohen në spital vetëm kur janë në gjendje tepër kritike dhe kanë probleme me frymëmarrjen dhe kërkohet mbështetja e tyre me respiratorë.
Është kënaqësi të shikosh së komuniteti shqiptare-amerikane nga e gjithë SHBA kanë organizuar grupe vullnetarësh në ndihmë të anëtarëve të komunitetit të cilët për shkak të moshës e kanë të pamundur daljen për realizimin e nevojave të tyre të përditshme. Në disa raste, komunitetet kanë organizuar ngritje fondesh që mund të përdoren në javët e ardhshme. Veçanërisht për t’u përshëndetur është puna e komuniteteve fetare që po ndihmojnë edhe në uljen e stresit dhe ankthit të individëve apo familjeve në këto kohë të vështira.
Nga bisedat mësuam se një pjesë e madhe e komunitetit kanë humbur dhe vendet e punës. Ambasada nxit anëtarët e komunitetit të jenë të vemendshëm ndaj udhëzimeve të dhëna nga shtetet përkatëse për të përfituar nga ndihmat financiare të ofruara nga shteti amerikan. Vetë ambasada do mundohet të përmbledhë këto informacione dhe ti ofrojë në gjuhën shqipe dhe të ofrojë adresat ku duhet të drejtoheni në çdo shtet.
Në ditët në vijim do vijojmë me kontaktë të përditshme me anëtarë të tjerë të komunitetit në shtete të tjera ku ka një përqëndrim të lartë të komunitetit shqiptar. Ambasadorja tashmë ka biseduar me përfaqësues në disa qytete të shteteve të Nju Jorkut, Miçiganit, Teksasit, Shtetit të Uashingtonit, Kalifornisë, Floridas dhe Filadelfias. Në se përfaqësuesit e shoqatave që dëshirojnë të komunikojnë me Ambasadoren apo stafin e ambasadës, për pyetje apo për të ndarë informacione mbi situatën e komunitetit në qytetin e tyre, lutemi na shkruani në adresen [email protected] dhe ne do ju kontojmë menjëherë.
Tregoni sa më shumë kujdes për vete, familjen tuaj dhe komunitetin që ju rrethon!", shkruhet mes të tjerash në deklaratë.
