Nga Shqipëria / E Mërkurë 1 Prill 2020, 12:12

28-vjeçari shqiptar në Itali humb jetën nga Covid-19, dukej i shëruar dhe e dërguan në shtëpi, por...

Një djalë i ri shqiptar që jetonte në Itali ka humbur jetën prej koronavirusit Covid-19. Mediat italiane raportojnë se Lucjan Elezi, 28 vjeç jetonte në Val di Fassa, prej disa vitesh. Ai humbi jetën në shtëpinë e tij, 10 ditë pasi kishte dalë nga spitali.

28-vjeçari ishte shtruar në spital në Rovereto pasi ishte prekur nga Covid-19. Elezi me kalimin e ditëve ishte përmirësuar dhe mjekët e kishin dërguar në shtëpi.

Pas trajtimit, testi i parë kishte rezultuar negativ dhe priste të bënte edhe testin e dytë. Por problemet me mushkëritë dhe frymëmarrjen, vazhduan edhe pas daljes nga spitali, duke i shkaktuar humbjen e betejës me koronavirusin.

28-vjeçari kishte punuar në sektorin e ndërtimit, së bashku me disa të afërm. Më pas kishte punuar në qendrën e Refugjatëve Fredarola në Canazei, ku të gjithë e kujtojnë si një punëtor të zellshëm.