Nga Shqipëria / E Mërkurë 1 Prill 2020, 00:12

3 ditë pasi u rikthye në punë, infektohet me koronavirus mjeku Dhimitër Kraja

Dhimitër Kraja, pas 48 vitesh punë, iu përgjigj i pari thirrjes për të ndihmuar stafin e palodhur të Infektivit në këto ditë të vështira. Para tre ditësh, Kraja u rikthye edhe një herë në sistemin e shëndetësisë për të ndihmuar kolegët e tij për të përballuar luftën me koronavirusin. Sot ministrja Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se mjeku është infektuar.

"Pesha e viteve nuk e pengoi Prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i ofruar mbështetje stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira!
I rrallë e modest si pakkush, Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente, me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte! Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi", shkruan Manastirliu.