Nga Shqipëria / E Martë 31 Mars 2020, 21:09

Vetëizolimi rezultoi me sukses: Ky shtet i Europës vendos të heqë masat

Danimarka ishte një nga shtetet e para që i mori menjëherë masat pas përhapjes së Koronavirusit, duke mbyllur kufijtë e duke ndaluar daljet nga shtëpia. Masat kanë rezultuar me sukses, shprehet kryeministrja e vendit e cila ka vendosur që së shpejti t'i zbusë masat.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen tha se vendi mund të fillojë gradualisht dhe me kontroll rikthimin në gjendjen e mëparshme. 

"Nëse ne danezët për dy javët e ardhshme, gjatë Pashkëve vazhdojmë mbajmë distancë dhe nëse numrat mbeten të qëndrueshëm, atëherë qeveria do të fillojë një hapje graduale, të qetë dhe të kontrolluar të vendit", tha Frederiksen në një konferencë për shtyp.


 
"Nëse numrat fillojnë të rriten përsëri ose nëse fillojmë të mblidhemi përsëri me njëri-tjetrin duke mos mbajtur distancën, atëherë masat nuk do të hiqen, por do t'i forcojmë edhe më tepër", tha ajo.

Frederiksen tha se vendimi për të mbyllur shkollat, kopshtet, restorantet, baret, qendrat kulturore dhe vendet e tjera kishte arritur të ngadalësonte përhapjen e koronavirusit.
 
"Gjatë javës së kaluar, numri i rasteve është rritur pak më ngadalë se një javë më parë, dhe jo me shpërthimin që kemi parë në vendet e tjera", tha kryeministrja.