Nga Shqipëria / E Martë 31 Mars 2020, 11:11

E fundit: Shkon në 243 numri i të infektuarve nga Koronavirusi në Shqipëri

Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli njoftoi në një deklaratë për mediat se mëngjesin e sotëm është regjistruar viktima e 13 nga koronavirusi në Shqipëri. Bëhet fjalë për një pacient 62-vjeçar nga Durrësi i cili vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit është kryer testimi për 145 persona të dyshuar me Covid-19. Nga këta, 20 raste janë konfirmuar pozitiv. Kështu numri i personave me koronavirus në Shqipëri shkon në 243 raste.

Në Spitalin Infektiv janë 77 pacientë të shtruar. 8 persona janë në terapi intensive, 3 prej tyre të intubuar. Në spitalin COVID 2 ndodhet një pacient i shtruar.

Listën e qyteteve më të infektuara nga COVID-19 e kryeson Tirana me 129 raste, Durrësi me 23 raste, Fieri me 23 raste, Korça me 15 raste, Shkodra me 8 raste, Elbasani, Vlora, Lezha, Kruja me nga 5 raste, Lushnja dhe Tropoja me nga 4 raste, Puka me 3 raste, Mirdita, Hasi Rrogozhina me nga 2 raste dhe Berati vetëm me 1 rast.