Nga Shqipëria / E Hënë 30 Mars 2020, 20:08

'Kanë shumë vullnet por do u bëjmë provim', drejtori italian flet për 30 mjekët shqiptarë

30 mjekë shqiptarë shkuan në Itali për të ndihmuar në luftën kundër Koronavirusit. Megjithatë ata nuk do të jenë në gjendje të fillojnë menjëherë punën. Kjo sepse janë paraqitur pa dokument që vërteton aftësitë e tyre dhe fillimisht do të bëjnë një provim.

"Ne jemi mirënjohës për ardhjen e mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, por për fat të keq mbetet një problem themelor: prania e personelit të specializuar për kujdes intensiv. Ata u paraqitën pa një dokument që vërteton aftësitë e tyre dhe për këtë arsye do të bëjnë një provim, për të kuptuar se ku duhet t'i drejtojmë", është shprehur Gianmarco Trivelli, menaxheri i përgjithshëm i spitalit civil në Brescia.

"Shqiptarët kanë shumë vullnet dhe mezi presin për të punuar, tashmë kanë vizituar spitalet civile. Ata janë vendosur në një hotel afër spitalit dhe shprehen se kjo përvojë do iu shërbejë nëse gjërat shkojnë keq në Shqipëri. Po ashtu shtojnë se kjo është shtëpia e tyre", ka shtuar ai.

Ndërkohë 15 mjekë polakë, specialistë të kujdesit intensiv, do të mbërrijnë në Brescia për të ndihmuar kolegët italianë.

Burimi: "milano.repubblica.it"