30 mjekë shqiptarë shkuan në Itali, ku do të qëndrojnë një muaj, për të ndihmuar në luftën kundër Koronavirusit. Korab Gjana, një infermier nga QSUT, është pjesë e këtij grupi mjekësh dhe në një lidhje direkte për "ABC News" ka treguar rreth ditës së parë të punës.
Ai tha se janë duke u trajnuar dhe fillimisht nuk do të jenë në vijën e parë për të trajtuar pacientët e infektuar, por do jenë ndihmës të kolegëve italianë. Po ashtu Gjana shtoi se pritja në Itali ka qenë mbresëlënëse dhe të gjithë janë shumë mirënjohës për gjestin e Shqipërisë.
"Ne sot jemi njohur me ambientet e spitalit, kemi bërë një konferencë të përbashkët. Kemi marrë informacionin e duhur ku duhet treguar kujdesi maksimal për përdorimin e veshjes në mënyrë që të shmanget maksimalisht kontaminimi. Jemi njohur edhe me pavijonet që do të punojmë në ditët në vazhdim.
Ne do të jemi krah mjekëve dhe infermierëve italianë. Ne do të jemi në linjën e dytë, pra në ndihmë të mjekëve italianë si fillim. Në vazhdim do të mund të bëhemi gati për vijën e parë pasi të fitojmë sigurinë.
Me çfarë kam unë informacion, pothuaj të gjithë mjekët kanë punuar në spitale në Shqipëri. 2 ose 3 nga stafi ynë kanë punuar në spitalet infektive në rrethe, nuk kam informacion të saktë. Mund të them se për personelin e QSUT dhe gjithë të tjerët, kanë bërë trajnime se si duhet të përballohet një situatë e tillë. Mjekët italianë na shpjeguan fillimisht procedurën. E kemi lënë nesër e në vazhdimësi për aplikimin direkt tek pacientët", ka treguar ai.
Infermieri ka treguar se në javën e parë do punojnë nga ora 7 deri në 15:00.
