Me anë të një videoje live në llogarinë e tij të Facebook-ut, kryeministri Edi Rama ka sqaruar si do të funksionojë sistemi i leje-daljeve për pazar.
Përmes një aplikacioni do të bëhet e mundur që një nga pjesëtarët e familjes të marrë leje për të bërë pazarin vetëm brenda orarit të lejuar.
"Leje-daljet do jepen vetëm për 1 person. Do jepen përmes një aplikacioni online që do t'iu mundësojë që të hyni te e-albania dhe të kërkoni lejen. Leja është automatike nëse kërkoni lejen përmes e-albania dhe nëse keni një smartphone ose kompjuter, nëse nuk e keni leja do kërkohet me sms dhe do të merret pas 24 orësh pasi nuk është automatike. Nga dita e hënë do jetë në dispozicion numrin 55155. Pra në qendrat urbane do të jetë e vetmja mënyrë për të lëvizur pa marrë gjobë", ka sqaruar Rama.
Po ashtu ka treguar se pensionistët nuk do marrin leje, nuk do aplikojnë në sistem. Ndërkohë për pensionistët e vetmuar do të kujdeset vetë qeveria për t'iu mundësuar gjithçka për të cilën kanë nevojë: ushqime apo ilaçe.
Rama ka theksuar se kjo është leje-dalje thjesht për pazar jo për vajtjen në punë, e cila ka autorizim të veçantë.
