Nga Shqipëria / E Martë 24 Mars 2020, 17:05

Rama: Do japim për biznesin e vogël dyfishin e rrogës së deklaruar

Kryeministri Rama në një komunikim live me qytetarët ka deklaruar se qeveria do të japë për biznesin e vogël dyfishin e shumës së deklaruar në tatime. Çdo kryefamiljar i vetëpunësuar, por edhe bashkëshortja e tij, do të marrin secili pagën e tij.

"Sot kam dhënë miratimin për disbursimin e mbështetjes financiare mujore për periudhën e luftës për ata mes jush që e kanë hallin më të madh. Të punësuar e të vetëpunësuar në një biznes të vogël, familje që jetojnë me ndihmë ekonomike apo të papunë të asistuar nga shteti. Në regjistrin e deklarimeve mujore shpeshherë paga e vetme e deklaruar në shtet është ajo e kryefamiljarit. Rruga e shkurtër do të ishte të thoshim dakord po i japim kryefamiljarit pagën minimale të deklaruar nga ai vetë. 710 milionë janë pagat e deklaruara nga biznesi i vogël dhe kaq po shpërndajmë dhe ne. Por ka një shprehje të bukur populli, kur thotë i takon me ligj dhe me zakon. E pra e dimë se ka shumë familje të vetëpunësuara, ku kryefamiljari deklaron pagën minimale, por bashkëshorten e deklaron të punësuar pa pagë. Mirë ligji, po zakoni si e do në këtë luftë? Prandaj nuk mund të mjaftohemi me aritmetikën e numrit të vetëpunësuarve. Ne do të shkojmë përtej këtij numri. Do t’ja japim edhe gruas së atij kryefamiljari pagën e luftës. Kështu çdo i regjistruar me pagë, pa pagë, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 milionë lekë të reja e pagave të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin e vogël në kohë lufte, do të bëhet 57 miliardë lekë të reja. Pra, shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin duke kompensuar të gjithë të punësuarit apo vetëpunësuarit në një biznes të vogël që nuk punojnë dot sot në kohë lufte", tha kryeministri.