Në Kosovë janë regjistruar 26 raste të reja me Koronavirus. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se numri total i të prekurve ka shkuar në 61.
"Sonte me 23.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar njëqind (100) mostra të marra në hulumtim të personave që kanë qenë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara dhe të gjithë kanë qenë në vetë izolim, përveç një rasti nga fshati Panorc, Malishevë, i shtrirë në Klinikën Infektive. Testimi në numër kaq i madh është bërë me qëllim të gjurmimit të të gjitha kontakteve të rasteve të konfirmuara të cilat janë gjetur në mënyrë proaktive nga ekipet e IKShPK. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, njëzet e gjashtë (26) prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Nga 26 rastet e konfirmuara të gjitha janë kontakte të gjurmuara të rasteve pozitive (familjarë dhe kontakte të ngushta), të detektuara përmes hulumtimit aktiv epidemiologjik. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova", ka njoftuar IKSHPK.
