Nga Shqipëria / E Hënë 23 Mars 2020, 21:09

Koronavirusi/ Lirohen përkohësisht të burgosurit, ja kategoritë përfituese

Në Shqipëri deri tani janë regjistruar 104 të prekur nga Koronavirusi dhe janë shënuar 4 viktima. Për të parandaluar përhapjen masive të tij, qeveria ka ndërmarrë masa të larta sigurie të cilat duhet të respektohen për të dalë fitimtarë ndaj kësaj lufte.

Së fundmi qeveria ka hartuar Aktin Normativ për të burgosurit, sipas të cilit është vendosur që një pjesë e tyre të qëndrojnë në shtëpi për 3 muaj.

Kriteret për përfitimin e lejes së veçantë:

1.I dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë 3-mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ:

a) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të dyja kushtet e mëposhtme: I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim; Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.

b) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme: I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim; Është baras ose mbi moshën 60 vjeç;

c) Vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, e vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;

Nuk përfitojnë leje të veçantë për qëndrim në shtëpi, personat e dënuar për:

1.krime kundër njerëzimit,
2.krime kundër jetës, të kryera me dashje
3.veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit
krime seksuale
4.vepra penale kundër lirisë së personit
5.vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes
6.vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike
7.krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues,
8.vepra me qëllime terroriste
9.krime kundër autoritetit të shtetit,
10.vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Nëse gjatë periudhës së zbatimit të lejes së veçantë të qëndrimt të përkohshëm në shtëpi, gjykata vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ, sipas parashikimeve të Kodit Penal, leja e veçantë, sipas këtij akti normativ, shfuqizohet. / 'Gazeta Reforma'

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë:

https://qbz.gov.al/eli/akt-normativ/2020/03/23/7/80f0757e-021b-4e6d-bf6a-b0a1c14f1d3f