Nga Shqipëria / E Hënë 23 Mars 2020, 19:07

I riu shqiptar thirrje që nga Italia: Në lagjen time po vdesin njerëz...

Një i ri shqiptar në Bergamo të Italisë, i quajtur Bajron Nikolli, iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos e nënvlerësojnë virusin siç bënë dhe italianët. Në Itali deri më sot është shënuar numri më i madh i viktimave në mbarë botën.

Nikolli iu bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe në deklaratën e tij shprehet se ky virus ka vrarë dhe të rinj.

“Në lagjen time njerëzit po vdesin, është një numër shumë i madh, nuk janë ato numra që shikoni në televizor, janë më shumë se aq, vdesin nëpër shtëpi pa asnjë test. Në Bergamo, në spitalin më të mirë të Europës nuk ka asnjë vend për pacientët, nuk të përgjigjet dot njeri nëse ke një emergjencë. Edhe nëse e marrin pas pak kohe e kthejnë në shtëpi sepse nuk kanë ku e mbajnë. Sot pas një muaj po vjen kulmi e shpresoj të përfundojë sa më shpejt. Ky virus vret, harrojeni çfarë thonë të tjerët, jo nuk kap të rinjtë se kap vetëm pleqtë, ka vrarë edhe të rinj.

Ju lutem shumë, qëndroni nëpër shtëpi, është një luftë që mund t’i bëhet rezistencë vetëm përmes kësaj mënyre. Ju lutem mos mendoni vetëm për vete, ndihmoni të varfërit, përcilleni mesazhin që kush ka mundësi të ndihmojë njerëzit në nevojë që të sigurojnë së paku bukën e gojës. Me gjithë zemër uroj që të mos e provoni kurrë këtë që po kalojmë ne këtu”, shprehet i riu në një video të publikuar në llogarinë e tij të Facebook-ut.