Nga Shqipëria / E Diel 22 Mars 2020, 15:03

E prekur nga Koronavirusi, flet studentja shqiptare në Spanjë

Laura Brixhi, një studente shqiptare në Spanjë, është infektuar nga Koronavirusi. Që nga data 8 mars ajo është izoluar.

Në një lidhje direkte për emisionin "Vizioni i Pasdites", studentja ka folur rreth gjendjes së saj. Ajo ka treguar se gjithçka ka nisur me temperaturën e lartë, kollitjen dhe marrje mendësh.

"Kam që pas datës 8 mars që e kam marrë Coronavirusin pasi kam qenë pjesë e një parade për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pata problem me shëndetin dhe u vetëizolova. Më filloi temperaturë jo e lartë, 37.5, kollë e thatë, marrje mendsh, dhimbje koke. U shqetësova dhe mora urgjencën në telefon. Unë jetoj vetëm dhe urgjenca më tha të rri e izoluar. 

Daljet janë shumë të pakta. Unë duhet të ushqehem, të dal në farmaci. Nuk ka doreza dhe maska. Përdor doreza pambuku të cilat i laj. Daljet duhet të jenë sa më të pakta. Ndonjëherë ndihem sikur më mungon ajri, kjo vjen si pasojë e panikut. Në Spanjë nuk ka orare për të dalë. Shkojmë në farmaci, supermarket, bankë, si dhe për të rimbushur telefonin. Për makinat janë marrë masat dhe për këmbësorët do të merren masat. Testi nuk kryehet më në Spanjë, por nëse ke simptoma të marrin në urgjencë", ka treguar Brixhi.

Për më tepër studentja ka treguar se gjendja e saj shëndetësore është drejt përmirësimit.