Nga Shqipëria / E Diel 22 Mars 2020, 14:02

Rama: Oraret nuk janë për qejf, nesër keni 8 orë kohë për të bërë pazarin

Në një video live në llogarinë e tij të Instagramit, kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se operacioni humanitar ka ndihmuar në 72 orët e fundit 14428 nga familjet më në nevojë, 11089 familje me ndihma ushqimore; 1203 familje me medikamente dhe 2136 të tjera për nevoja të tjera urgjente.

Po ashtu ai ka njoftuar se nesër në orën 5:00 të mëngjesit do të rihapet qarkullimi për ata që shkojnë në punë dhe qytetarët do kenë 8 orë kohë për të bërë pazar.

“Do të vazhdojmë pa pushim të trokasim në dyert e pensionistëve të vetmuar, të prekura nga tërmeti dhe do të bëjmë gjithçka që të mos u mungojë ushqimi bazë. 1203 familje janë pajisur me medikamente dhe 2136 të tjera për nevoja të tjera urgjent.

Po bëjmë të pamundurën dhe do ta bëjmë deri në fund sepse kjo është detyra jonë. Por në këtë kohë të mallkuar duhet solidaritet, duhet mirënjohje.

Nesër në 05:00 të mëngjesit do të rihapet qarkullimi për ata që shkojnë në punë dhe do keni 8 orë për të bërë pazar. Keq kur ishin dy orare, keq me një orar më të zgjatur, mesa duket nuk po kuptohemi akoma. Këto orare nuk janë për qejf, por janë të imponuara nga nevojat e përballimit të një luftë që kërcënon të marrë me mijëra njerëz me vete.

Çfarë lidhje kanë oraret me rrugët e mbushura plot, dhe tregjet plot, por të ecim të mbarojmë punë të mbajmë radhë rresht, të durojmë të presim derisa të mbarojmë punë. Disa thonë të mbyllemi dy javë mos të dalë asnjëri, po për të ngrënë si do ia bëjmë? Pse të mos zbatojmë rregullat, pse të mos jemi rigoroz në këtë luftë, dhe si mund të mos na mjaftojnë 8 orë për pazare dhe të kthehemi në shtëpi?”, u shpreh mes te tjerash Rama.