Nga Shqipëria / E Diel 22 Mars 2020, 12:12

4 pacientë në terapi intensive, Tritan Kalo flet për gjendjen e tyre

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një bisedë me mjekun e Infektivit, Tritan Kalo. Dyshja kanë folur për situatën aktuale në vend, për gjendjen e pacientëve, masat e marra dhe rëndësinë e qëndrimit në shtëpi.

Kalo iu bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi. Po ashtu ai shprehet se është shumë dakort me masat e marra nga qeveria, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të padiskutueshme, pasi është e vetmja mënyrë për të shmangur skenare të ngjashme me shtete të tilla si Italia apo Spanja.

"Masat është mirë që janë përforcuar, në mendimin tim mund edhe të pÄ?rforcohen më tepër. Sepse është e vetmja mundësi që u tregua efikase në eksperiencën kineze në ngadalësimin e sëmundjes dhe mbi të gjitha për ta shuar atë gradualisht. Nëse do të tregoheshim liberal, siç u treguan fqinjët tanë në Itali, me tej britanikët e spanjollët, kjo do të bëntë të shfaqeshin në vendin tonë skenarë të ngjashëm me to. Këtij skenari duhet t’i ruhemi maksimalisht duke marrë shtrënguese”, tha Kalo.

Kalo ka treguar dhe për gjendjen e katër pacientëve që janë në terapi intenstive.

“Të sëmurët në reanimacion janë në një gjendje mesatarisht të rëndë por që e kanë të domosdoshme praninë në mjedise të terapisë intensive, pasi në çdo moment mund të bëhen objekt i ventilimit mekanik, prandaj duhet patjetër të mbahen dhe në mënyrë që të ulim sa më shumë humbjen e jetëve”, u shpreh ai.

Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se janë konfirmuar 13 raste të reja, duke e çuar në total 89 numrin e të prekurve në vend.