Një tërmet i fortë ka tronditur mëngjesin e sotëm Kroacinë dhe kryeqytetin e saj, duke shkaktuar dëme dhe duke përhapur panik. Tërmeti me magnitudë 5.3 i shkallës Rihter ishte me epiqendër në Kasina, 7 kilomentra në veri të Zagrebit.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima, vetëm dëme të mëdha materiale. Njerëzit kanë nxituar të dalin në rrugë dhe dëshmitarët thonë se disa ndërtesa kanë mure të plasaritura dhe çatitë janë dëmtuar. Tërmeti u pasua më pas nga një tjetër, me magnitudë 4.9 i shkallës Rihter.
Po ashtu sipas raportimit të mediave kroate u dëmtua dhe spitali Rebro dhe janë raportuar disa vatra zjarri, pa pasoja të rënda. Katedralja ikonike e Zagrebit u dëmtua gjithashtu.
Tërmeti goditi mes një bllokimi të pjesshëm të kryeqytetit për shkak të Koronavirusit. Qeveria kroate u bëri thirrje qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe të ruajnë distancë.
"Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të qytetit të Zagrebit të cilët dolën pas tërmetit, mbani distancen tuaj! Ne e dimë se jeni të shqetësuar, por mbani në mend situatën në të cilën gjendemi të gjithë. Ndiqni udhëzimet e shërbimeve të qytetit dhe institucioneve përkatëse, por para së gjithash, edhe një herë, mbani distancen tuaj! "

Posljedice potresa u Zagrebu pic.twitter.com/G5RFWmvTlM
— Media Servis (@mediaservishr) March 22, 2020
