Nga Shqipëria / E Premte 20 Mars 2020, 20:08

Rama: Nëse nuk bindeni, nuk do kemi vend as në varreza, jo më në spitale

Me anë të një statusi në llogarinë e tij të Facebook-ut, ku ka bashkëngjitur dhe një video nga mjekët e Infektivit, kryeministri Edi Rama, iu ka bërë një tjetër thirrje për ndërgjegjësim qytetarëve. Ai iu kërkon të qëndrojnë në shtëpi për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth tyre.

Në statusit e tij Rama shkruan se mjekët e infektivit janë alarmuar nga sjellja e papërgjeshme e qytetarëve të pabindur që po sabotojnë luftën e përbashkët kundër Koronavirusit. Kryeministri shprehet se nëse nuk bashkohemi të gjithë në këtë luftë, nuk do të ketë vend në varreza, e jo më spitale.

Njoftimi:

Mjekët e infektivit janë të alarmuar nga sjelljet e papërgjegjshme të atyre që po e sabotojnë këtë luftë me xhirot e tyre dhe me ato radhat pa radhë, që kthehen në mitingje për të përqafuar armikun e për ta marrë me vete në shtëpi!

Këta mjekë po bëjnë heroizëm, ndërsa sabotatorët po bëjnë një tradhëti të pashembullt, që do të na hapë varrin po nuk u ndal urgjent!

Nëse nuk rrini të gjithë drejt në këtë luftë, nuk do kemi ku të shtrijmë të sëmurët dhe nuk do ketë vend as në varreza, jo më në spitale!