Nga Shqipëria / E Premte 20 Mars 2020, 17:05

Pëllumb Pipero: Ja çfarë pritet të ndodhë në javën e tretë me Koronavirusin

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ishte së fundmi në lidhje direkte me skype për "Syri.net". Ai ka folur rreth Koronavirusit dhe situatën e krijuar në vend. Pipero kërkon nga qytetarët që të respektojnë rregullat e vendosura: 'Qytetarët të binden, skenari italian nuk është larg.' Ai shprehet se numri i të infektuarve pritet të rritet.

"Eksperienca e vendeve të tjera ka dëshmuar që kjo epidemi ka pasur një zhvillim gradual shumë të qetë në dukje por shumë kosistent në progres dhe duket si një heshtje, heshtje që të gënjen në fakt. Përgjithësisht fundi i javës së tretë ka bërë një boom në numrin e rasteve në të gjitha vendet. Asnjë vend nuk i ka bërë përjashtim këtij boomi sepse ka rritje dramatike të rasteve, veçse masat e marra dhe respektimi i tyre kanë mësuar që ky boom apo kjo ngritje e kurbës të jetë e butë. E kemi në dorë ne, e kanë në dorë qytetarët që ky shpërthim, si vullkan, në fund të javës së tretë të mos jetë i fortë aq sa për t'i hedhur në tokë dhe sistemet shëndetësore, siç e ka hedhur në Itali apo diku tjetër.

Në këtë situatë çdo institucion shëndetësor, publik apo privat duhet të jetë i përgatitur për epideminë. Numrat e kësaj epidemie nuk i parashikon dot askush. E vetmja gjë që mund të kërkojmë është qytetarët të na dëgjojnë, qytetarët kanë në dorë suksesin ose dështimin tonë", u shpreh ai.