Kryeministri Rama përmes postimeve në rrjete sociale vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të respektojnë distancën e sigurisë nga njëri-tjetri në dyqane. Pak më parë kryeministri ka bërë të ditur se ushtria dhe policia do të zbresin në terren që të garantojnë distancën e duhur në radhën e qytetarëve, në pikat e shërbimeve ushqimore dhe farmaceutike, si një ndër masat kryesore të parandalimit të koronavirusit.
“Policia dhe ushtria janë angazhuar sot në sigurimin e radhave e të distancave në hyrje e brenda pikave të shërbimeve ushqimore dhe farmaceutike! Ju përgjërohem të gjithëve të mbajnë radhën si njerëz të rrezikuar nga bombat e padukshme që sjellin vdekje, vuajtje, zgjatje të pafundme të kësaj lufte”, shkruan Rama.
Sipas rregullave të qeverisë, lëvizja e këmbësorëve lejohet në fashat e orareve 06:00 – 10:00 dhe 16:00 – 18:00.
