Nga Shqipëria / E Enjte 19 Mars 2020, 22:10

'A mund të sakrifikohet ekonomia e 3 milionë njerëzve, për 3 mijë që vdesin?', përgjigjet Rama

Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në emisionin "Opinion". Ai iu është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të qytetarëve që qarkullojnë më së shumti në rrjete sociale, një prej të cilave ishte: "Për 3 mijë vetë që humbin jetën, a mund të sakrifikohet e ardhmja ekonomike e 3 milionë të tjerëve?"

Diçka të tillë Rama e ka konsideruar amorale dhe që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit.
"Këtë bast nuk e ka vënë akoma askush, edhe presidenti i ShBA që shquhet për baste që trondisin botën, nuk e ka vënë këtë bast. Edhe kryeministri Anglisë ka thënë që do rrethojë Londrën me forca ushtarake, por pse? Është proces ku gjithçka mund të ndodhi, mund të vije dita që natyra njerëzore të rebelohet: "E di si është puna? Ne nuk do vdesim të gjithë pse vdesin ca njerëz" por edhe kjo do të ishte një e re në historinë e njerëzimit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që natyra njerëzore të thotë "Hajt ta ndajmë kush do jetojë dhe kush do vdesi". Mbase do vijë dhe kjo ditë por unë mendoj se ëshë amorale", u shpreh Rama.